Shqiptarët në Al-Hawl, vite pritje për t’i riatdhesuar, ende asnjë iniciativë

Tetë nëna dhe vajza të mbetura në kampin Al Hawl kërkojnë të rikthehen së bashku me fëmijët e tyre në Shqipëri dhe Maqedoninw e Veriut. Mentie Dumani, Ruzhdie Balliu Lavdie Kaca, Klodiana Zani, Brunilda Kocollari, Entela Vladi Elona Shuli dhe Revajet Shahini nga Maqedonia e Veriut vijojnë të mbeten të burgosura në kampin Al Hawl të Sirisë.

Fillimisht në redaksinë e A2 mbërritën letra të cilat shprehin shqetësimin se po rrëmbehen fëmijë. Më pas, mesazhet zanore të vetë fëmijëve konfirmuan atë që po ndodh brenda kampit.

Në dijeni janë dhe familjarët e tyre në Shqipëri. Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 6 dhe 8 vjeç, kur babai i tyre i rrëmbeu 6 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve. Nëna e fëmijëve, Mide Ndregjoni, po kalon momente të vështira të jetës, e pafuqishme për të ndihmuar fëmijët e saj. Mes lotësh ajo kërkon ndihmë.

Prej disa ditësh, shqiptarët në kampin Al-Hawl kërkojnë dëshpërimisht të bëhet diçka nga strukturat ligjzbatuese. Në redaksinë e A2 vijojnë të mbërrijnë kërkesa ndihme nëpërmjet letrave dhe mesazheve zanore.

Të njëjtat letra familjet e tyre në Shqipëri ua kanë drejtuar edhe autoriteteve shqiptare, ministrisë së Jashtme, ministrisë së Brendshme, si edhe vetë kryeministrit, por deri në këtë moment nuk kanë marrë asnjë përgjigje, me gjithë insistimin e tyre disamujor.