Anëtari i Kryesisë së PD akuza Policisë së Shtetit: Ndaloi ish luftëtarin e UÇK, me urdhër të Serbisë

collaku kreshnik 1100x620

Partia Demokratike ka lëshuar akuza të rëndë ndaj Policisë së Shtetit nëpërmjet anëtarit të Këshillit Kombëtar, Kreshnik Çollaku, sipas të cilit ajo ka ndaluar një ish luftëtar të UÇK.

Sipas Çollakut, ndalimi i ish luftëtarit kosovar, Murtez Kastrati është bërë pas një kërkesë të Serbisë nëpërmjet Interpol.

“Sipas burimeve të sigurta sot nga policia shqiptare është ndaluar Murtez Kastrati nga Lipjani ish luftëtar i UÇK. Ndalimi i tij nga policia shqiptare është bërë për shkak të një kërkese të Serbisë përmes Interpolit.

Shoqatat e luftëtarëve të UÇK në këto orë po njoftojnë e po kontaktojnë antarët e tyre e po kërkojnë të shmangin udhëtimet në Shqipëri për shkak se rrezikojnë të ndalohen sipas kërkesës së Serbisë”, shkruan Çollaku.

Zyrtari i PD, shkon dhe më tej ku thotë se arrestimi i ish luftëtarit Kastrati tregon fare qartë se Tirana zyrtare po kthehet në një shërbëtore të Beogradit dhe se sa false janë fjalët e kryeministrit Rama për luftën e UÇK në Kosovë.

“Ndalimi i sotëm i Murtez Kastratit luftëtarit të UÇK nga policia shqiptare, tregon sa hipokrite, sa false janë fjalët e Edi Ramës për luftën e luftëtarët e UÇK e për Kosovën.  Ky akt dëshmon në formën më të plotë kapitullimin e plotë të Tiranës Zyrtare karshi Beogradit. Tirana Zyrtare po kthehet një shërbëtore e rëndomtë e Beogradit”, shton Çollaku.