Protesta kundër kufizimeve, gjermanët: Shkelje e të drejtave, dëmi social e ekonomik

Mijëra qytetarë mbushën rrugët e Berlinit në Gjermani, në një protestë kundër masave shtrënguese të vendosura nga qeveria, për të penguar përhapjen e koronavirusit. Sipas qytetarëve, të drejtat dhe liritë e tyre, janë shkelur.

Referuar informacioneve policore, në rrugë dolën rreth 15 mijë protestues, mes tyre liberalë, besnikë të kushtetutës dhe shumë skeptikë të vlerësimeve shkencore mbi mënyrën se si luftohet virusi, mes tyre edhe protestues me flamurin perandorak gjerman në duar.

Në grumbullimin masiv, protestuesin nuk mbanin maska mbrojtëse.

Gjermania numëron më tepër se 200 mijë të infektuar me Covid-19 dhe rreth 10 mijë viktima, por gjithsesi vendi është mes më pak të goditurve, krahasuar me disa shtete të tjera europiane, ku pandemia kapi nivelin e katastrofës.

Gjermania përballoi me sukses fazën e parë të pandemisë, por tashmë kurba ka nisur rritjen sërisht.

Shumica e qytetarëve gjermanë kanë respektuar masat mbrojtëse që përfshijnë përdorimin e maskës në ambiente të mbyllura, ndërsa qeveria ka bërë të detyrueshëm testimin për ata pushues që kthehen nga zonat me rrezik të lartë nga virusi.

Por një pakicë gjermanësh mendojnë se këto kufizime po shkatërrojnë diversitetin e mendimit dhe po shkaktojnë dëme të paprecedentë sociale dhe ekonomike.