Dorëzohet kallëzimi për tenderin e uniformave të Policisë, Murrizi: Shpresoj që SPAK të çlirohet nga hija e pushtetit politik

Një grup deputetësh të opozitës parlamentare kanë bërë kallëzim në SPAK për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, duke vënë në zbatim këshillën e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për t’iu drejtuar organeve kompetente. Sipas deputetit Myslim Murrizi, kompania fituese e tenderit, nuk është e specializuar për këtë tender.

“SPAK po të hetojë do të gjejë lidhje të çuditshme dhe interesante. Kjo kompani, që në objektin e saj ka pastrim dheu dhe shoqëri tregtare merr tenderët e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtorisë së Burgjeve dhe së fundmi edhe të Ministrisë së Brendshme”, tha Murrizi. “Vetëm me këtë tender është rreth 4,5 milionë euro dëmi. Ftoj SPAK-un të hetojë me vëmendje aferat, pse kjo firmë që nuk ka rrobaqepësi sfidon një firmë turke të specializuar për këtë. Drejtësia do ta zbardhë, nëse nuk është e kapur. Po të isha shumë pesimist nuk do të vija. Shpresoj që sa më shpejt SPAK të çlirohet nga hija e pushtetit politik, kjo strukturë e re e kësaj drejtësie të re të famshme që presin të gjithë shqiptarët”.