Papunësia nga Covid-19, skemë kompensimi për të rikthyerit në punë

Bizneset mund të aplikojnë për të marrë subvencione për punonjësit e larguar nga pandemia, që do të rikthehen në punë. Qeveria ka miratuar programin për nxitjen e punësimit, ku përmes 3 skemave: 4, 8 dhe 12 mujore do të paguajë pagën minimale të gjysmës së kohëzgjatjes së programit dhe kontributet për çdo vend të ri pune.

Kompensimi do të jetë i vlefshëm vetëm për punonjësit e larguar, të cilët nuk mund të pushohen sërish nga puna, pasi në të kundërt punëdhënësi do të duhet të rikthejë fondet e përfituara nga shteti.

Bizneset mund të aplikojnë online në e-Albania për të marrë pjesë në skemë, me kushtin që të mos rezultojnë si debitorë tek Tatimet dhe të mos kenë shkelje të legjislacionit të punës përgjatë dy viteve të fundit.

Procesi do të ndiqet nga zyrat vendore të Agjencisë Kombëtare të Punësimit, të cilat brenda 2 javësh do të vendosin për miratimin apo mosmiratimin e kërkesës.

Për këtë program qeveria ka alokuar në buxhetin e këtij viti edhe 200 milionë lekë shtesë në ndryshimet e fundit të miratuara në parlament në fund të Korrikut. Megjithëse nuk ka një vlerësim për koston totale që mund të rrjedhë nga skema.