Programi i ripunësimit, fasonët: Të nisë sa më shpejt zbatimi i procesit

Bizneset do të shfrytëzojnë programin e qeverisë për të rimarrë në punë punonjësit e larguar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Florian Zekja, përfaqësuesi i industrisë fason që është edhe një ndër sektorët më të prekur nga kriza Covid-19, deklaron se deri më tani nga këto ndërmarrje janë larguar rreth 22 mijë persona.

Rikthimi i shpejtë në vendet e punës shpjegon ai do të kërkojë kohë dhe do të varet nga eficenca me të cilët do të punojë administrata shtetërore për zbatimin e këtij programi.

Mbështetja nga shteti me financim për rikthimin e punonjësve në punë ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve të industrisë së veshjeve dhe këpucëve në vend.

Të gjendur në vështirësi, ata i kanë dorëzuar vetëm pak ditë më parë qeverisë një listë kërkesash për të amortizuar efektet negative të pandemisë, që mund të sjellë në një shkurtim të mëtejshëm të stafit.