Situata nga zjarret, Çako: Shumica të qëllimshme, penalitete për autorët

haki cako 1100x620

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me situatën e krijuar nga zjarret, ditët e fundit, në disa nga qarqet e vendit.

Haki Çako bëri me dije se pas hetimeve ka rezultuar se shumica e vatrave të zjarrit kanë qenë të qëllimshme. Ai paralajmëroi penalitete për autorët dhe i bëri thirrje autoriteteve lokale që të marrin masa për të përballuar situata të ngashme

“Vetëm për muajin korrik janë evidentuar 168 vatra zjarri, shumica prej të cilave kanë qenë të qëllimshme. Në gjithë Shqipërinë janë prekur nga zjarri 598 hektarë sipërfaqe. Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm me prefektët e stafet e bashkive.

Disa bashki janë angazhuar maksimalisht në përballimin e zjarreve, ndërsa disa të tjera nuk po përdorin asetet e deklaruara për emergjencat. Bashkitë janë të parat që duhet të përballojnë fatkeqësitë. Sipas ligjit, FA ndërhyjnë vetëm pas ezaurimit të resurseve në nivel vendor. Disa bashki kërkojnë ndërhyrjen e FA pa ezauruar më parë kapacitetet e tyre.

Bashkitë që nuk zbatojnë ligjin do të përballen me penalitete. Pushteti vendor dhe Policia të bashkëpunojnë për gjetjen e autorëve të zjarreve”, u shpreh mes të tjerash Çako.