Alimehmeti: Në Shqipëri nuk ka transmetim komunitar, por situata mund të përkeqësohet

Kanë kaluar tashmë 5 muaj, të paktën, nga përhapja globale e pandemisë së koronavirusit, dhe mund të bëhet një bilanc i situatës së shteteve të goditura, dhe veçanërisht për Shqipërinë.

Sipas epidemiologut Ilir Alimehmetit, Shqipëria ka patur të njëjtin proces që kanë kaluar pjesa më e madhe e shteteve europiane. “Pati disa raste në fillim, u morën masa shtrënguese, dhe me lirimin e këtyre masave filluan të shtohen sërish rastet. Diferencën e bëri Suedia, edhe më shumë Gjermania, por me kosto ekonomike të mëdha dhe me mundësi të cilave Shqipëria nuk mund t’i afrohet dot”.

Gjatë muajve, këshillat bazë nuk kanë ndryshuar shumë. “Evitimi i çfarëdolloj grumbullimi është pika kyçe. Normalisht higjiena personale, diçka që është përmirësuar ndjeshëm, edhe pse higjiena kolektive ende çalon. Më pas sigurisht maska, linja e fundit e mbrojtjes, aty ku nuk praktikohet distanca sociale”, vijon mjeku për A2.

Vendi sipas tij është vlerësuar nga OBSH si në një nivel të ndërmjetëm rrezikshmërie, atë të grupit të rasteve, ndërkohë që në rajon Bosnje- Hercegovina dhe Kosova kanë arritur tashmë transmetimin komunitar, por kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk rrezikon t’ iu bashkëngjitet, pa respektuar normat.  

Shume njerëz, edhe në Shqipëri, mohojnë rëndësinë e problematikes se pandemisë.

“U është dhënë edhe hapësirë në media këtyre njerëzve, por ka edhe nga ata që thonë që Elvis Presley është ende gjallë. Virusi ekziston qartësisht, fenomeni i mosbesimit lidhet me figurat që përcjellin mesazhin. Deri më tani mesazhet sensibilizuese janë dhënë nga mjekë dhe politikanë, do të duhej ndoshta që edhe figura të tjera të angazhoheshin”, thotë Alimehmeti.  

Shkollat pritet të hapen në vjeshtë, por ai nuk duket u shqetësuar për këtë fakt, sepse sipas tij, në fakt, tashmë studimet e shumta kanë treguar se tek fëmijët rreziku i përhapjes është minimal.