Koronavirusi në Kosovë, Hoti: Fatkeqësisht ka ende shumë njerëz që nuk e besojnë

Situata nga koronavirusi në Kosovë vijon e rëndë, ditë pas dite. Referuar shifrave zyrtare, korriku ishte muaji me vdekshmërinë më të lartë si pasojë e Covid-19, rekordi i zymtë u shënua në 30 korrik, ku 16 persona ndërruan jetë brenda 24 orëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kosove, Faik Hoti, tha për A2 se fatkeqësisht çdo ditë paraqiten nëpër spitalet dhe klinikat e ndryshme në vend rreth 600 persona. “Në veçanti ka pasur pacientë të moshave të reja që kanë humbur jetën edhe pse nuk kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese”, tha ai në Ditarin e mëngjesit. “Sfida jonë kryesore është krijimi i lehtësirave për personelin mjekësor”.

Hoti pranoi se ka pasur persona që ende pa përfunduar periudhën e izolimit kanë dalë në rrugë, ndërsa shtoi me keqardhje që shumë të tjerë e kanë shpërfillur koronavirusin. “Na vjen keq që përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të informuar qytetarët, në këtë kohë kemi një kategori të njerëzve që bëjnë manifestime, mohojnë praninë e koronavirusit dhe jo të gjithë e kanë këtë bindje, por përmes mohimit të virusit dëshirojnë të realizojnë synimet e tyre. Fatkeqësisht një numër i njerëzve u besojnë. Ditët e fundit ka pasur fushata të organizatave zyrtarë për të demaskuar këto thënie, por ka pasur një kategori personash që besojnë se koronavirusi nuk ekziston”, tha Hoti.

Sa i përket pushuesve të shumtë nga Kosova që kalojnë kufirin për të shijuar bregdetin në Shqipëri, Hoti shtoi se në këtë fazë të pandemisë është e pamundur të identifikosh kontaktet e personave që mund të rezultojnë të infektuar. “E vetmja mënyrë për të shmangur rritjen e numrit të infektimeve është zbatimi i masave”, tha Hoti. “Çdo fundjavë kalojnë kufirin 20-30 mijë persona, është e paimagjinueshme të kontrollohet kontakti i tyre. Është e rëndësishme që qytetarët pavarësisht ku shkojnë, të respektojnë protokollet. Problemi është që ka një neglizhencë të masave dhe shpërfillje të vazhdueshme të kërkesave të institucioneve për mbajtjen e maskës dhe zbatimin e masave të tjera”, shtoi ai. Hoti pranoi se ka pasur një diskutim mes dy ministrive të Shëndetësisë për të mbyllur ose kufizuar qarkullimin e qytetarëve në të dy vendet, por në fund u vendos se kjo nuk shërben për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.