Në kulmin e pandemisë, SHBA përballet me një frikë të re: Uragani Isaias i drejtohet Nju Jorkut

Shtetet e Bashkuara po përballen me një rritje të frikshme të rasteve me COVID-19, por orët e fundit duhet të përgatitet edhe ndaj një rreziku tjetër, sigurisht më të dukshëm.

Bëhet fjalë për stuhinë tropikale Isaias, që pasi kaloi në Karaibe duke shkaktuar viktima, mori forcë duke u shndërruar në uragan të kategorisë së parë.

Uragani ka mbërritur në Karolinën e Veriut dhe pritet t’u drejtohet brigjeve lindore të SHBA, me një shpejtësi mbi 100 kilometra në orë. Rreth 250 mijë persona deri më tani kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë që ka patur përmbytje nga reshjet e shumta.

Trajektoria e uraganit Isaias

Isaias pritet t’u drejtohet, edhe pse me fuqi më të ulët, metropoleve si Filadelfia dhe veçanërisht Nju Jorkut. Aty mund të krijohet një situatë e rrezikshme si 8 vite më parë, ku qyteti u përmbyt pjesërisht nga forca e uraganit Sandy.

Qyteti po përgatitet duke ngritur barriera, ndërkohë që kryebashkiaku De Blasio i bën apel qytetarëve “ta marrin seriozisht situatën, dhe të jenë të përgjegjshëm edhe për njerëzit që i rrethojnë”. Vetë presidenti Trump e ka cilësuar situatën si “të rrezikshme”.