Zjarret “rrethojnë” Shqipërinë, 200 efektivë në terren, 10 vatra ende aktive

KR ZJARREEE frame 0 1100x620

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura janë në terren për t’iu ardhur në ndihmë zjarrfikësve dhe autoriteteve lokale në lidhje me situatën e krijuar në disa zona me zjarret.

Sipas të dhënave nga kjo ministri, deri më tani 10 vatra mbeten aktive që janë në monitorim dhe nuk paraqesin asnjë rrezik për qytetarët. Ndërkohë që 3 vatra janë shuar në qarkun e Dibrës.

Qëndra Kombëtare Operacionale e Mbrojtjes Civile bën me dije se në Lezhë janë aktive 4 vatra zjarri, në njësinë administrative Shëngjin, zona Rëra e hedhur-Maja e Zezë dhe po punohet për izolimin e tyre ndërsa zjarri në malin e Kakarriqit është izoluar pothuajse totalisht.

“Në Rubik, në fshatin Katund i Vjetër, vatra ka intensitet të ulët dhe është nën monitorim. Në Elbasan ka pasur një vatër zjarri në Gramsh në fshatin Siman. Policia ka nisur hetimin për shkaqet e zjarrit. Në Fier nga 3 vatra, 2 tashmë janë lokalizuar dhe janë drejt përmirësimit. Situata është nën kontroll edhe në fshatin Hekal në Mallkastër, ku u raportua për zjarr në sipërfaqe me shkurre ullishte dhe pemtari. Vështirësi ka paraqitur terreni në njësinë administrative Terpan në pyllin e Ballollit në Berat, por zjarri nuk përbën rrezik për komunitetin, pasi ndodhet larg zonave të banuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.