Kandidatët e PD, filtrimi i pasurisë e figurës sipas modelit të agjencive amerikane

Një ditë pas konstituimit, Komisioni i Vlerësimit të kandidatëve ka zhvilluar mbledhjen e radhës duke miratuar metodologjinë e punës deri në hartimin e listës finale që do i propozohet anëtarësisë për kandidatët e PD për deputetë dhe kryetar bashkie.

Tre anëtarët e komisionit, Bujar Nishani, Genc Ruli dhe Enriketa Papa kanë marrë në duar formularët fillestarë që kanë plotësuar të propozuarit. Mësohet se Komisioni do bëjë një seleksionim paraprak të kandidatëve, për shkak të numrit të lartë të emrave të propozuar që arrijnë në 3 mijë.

Vetëm kandidatëve që do të plotësojnë kriteret e përgjithshme do t’iu kërkohet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi, i ngjashëm më atë që demokratët propozuan për ligjin e dekriminalizimit.

Por a inkurajon apo dekurajon kandidimin ky formular? E sigurt është që vendim për plotësim është moment real i rrëfimit të jetës së tyre dhe vendosmërisë për angazhim politik. Në dokumentin disafaqesh, kandidatët duhet t’u përgjigjen në mënyrë të detajuar pyetjeve që lidhen me raportin e tyre me ligjin, të dhënat e pasurisë, të dhëna të detajuara për rrethin familjar dhe atë shoqëror.

Në formularin e ngjashëm me modelin që ndjekin agjencitë ligjzbatuese amerikane, aspirantët për deputetë apo kryebashkiakë, duhet të informojnë nëse kanë qenë ndonjëherë të dënuar, nëse kanë kërkuar azil, nëse kanë jetuar më shumë se 1 muaj jashtë vendit, si e kanë bërë pasurinë  e tyrë, nëse kanë biznese apo nëse kanë qenë të papunë.

Po ashtu, në formular do duhet deklaruar edhe nëse kandidatët kanë pasur nevojë për ndihmën e psikologut, a kanë qenë trafikant apo përdorues droge, nëse kanë varësi nga alkooli dhe kur e kanë konsumuar atë për herë të fundit.

Çdo kandidat duhet të dorëzojë edhe gjurmët daktilostopike në të kundërt humb të drejtën e garimit. Të dhënat e pavërteta, rrezikojnë largimin e tyre nga PD.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit kanë vlerësuar emrat e propozuar dhe kanë nënvizuar se përzgjedhja do jetë një proces i vështirë, por transparent.