Kupa e Shqipërisë si “nxehje” përpara Olimpiadës, Luiza Gega fiton garën e 3000 metrave

Aktiviteteve kombëtare pas bllokimit për shkak të pandemisë iu rikthye edhe atletika. Kupa e Shqipërisë mësoi kampionët e saj të rinj, me aktivitetin që u zhvillua në pistën e stadiumit Elbasan Arena.

Vllaznia triumfoi për meshkujt, me ekipin shkodran që arriti të lërë pas me diferencë pikësh Skënderbeun dhe Teutën.

Te femrat ndërkohë në vendin e parë u rendit Tirana e atletes rekordmene shqiptare Luiza Gega, e cila këto aktivitete po i shfrytëzon në maksimum si përgatitje për lojërat olimpike që u spostuan për vitin e ardhshëm.

 “Aktivitetet ndërkombëtare janë anuluar, si dhe Olimpiada që është shtyrë vitin e ardhshëm, kjo do të thotë që këtë vit nuk kam objektiv madhor përtej përgatitjes për vitin që vjen, që do të jetë shumë i ngjeshur”, deklaroi Gega.

Sa i përket Kupës së Shqipërisë, Gega triumfoi në garën e 3000 metrave me kohën 9 minuta e 4 sekonda.