Zhvlerësimi i euros, eksperti: Ndikuan faktorët sezonalë dhe emetimi i eurobondit

Kriza e koronavirusit ka ndikuar drejtpërdrejt kursin e këmbimit valutor në vend. Eksperti për ekonominë, Arjan Kadaresë, shpjegon se përveç efekte sezonale, ndikim në zhvlerësimin e mëtejshëm të euros në këtë periudhë ka dhënë edhe emetimi i eurobondit prej 650 milionë euro të bërë në qershor të këtij viti.

Një tjetër element ndikues sipas tij është edhe kërkesa e ulët për valutë, për shkak të mosdaljes së shqiptarëve jashtë vendit për pushime. “Fakti që shqiptarët nuk bëjnë turizëm jashtë dhe një pjesë e të huajve bëjnë turizëm në Shqipëri, është faktor që ndikon pozitivisht te leku”, thotë Kadareja. “Qeveria mori një hua në fillim të qershorit përmes eurobondit, ai ka efekt favorizues ndaj lekut dhe dobësues ndaj euros. Ndërsa faktori i tretë është një ulje relative e deficitit tregtar të mallrave të Shqipërisë, pra kemi më pak dalje eurosh sesa mendohej në fillim të vitit”.

Ndërsa sa i takon dobësimit të fortë të monedhës së gjelbër ditët e fundit, Kadareja vlerëson se fuqizimi i lekut ndaj dollarit lidhet kryesisht me zhvillimet e fundit në tregjet e huaja. “Në fillim të pandemisë u konsiderua monedhë e sigurt dhe u forcua, më vonë, me hapjen e ekonomive, dollari filloi të dobësohet”, thotë ai.

Sipas ekspertit Kadareja, megjithëse efektet e pandemisë vijojnë të jenë ende prezente, nuk priten ndryshime të mëdha në kursin e këmbimit deri në fund të vitit, ndërsa rikthimi në normalitet shton ai pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.