Akuzat e opozitës për ligjin e rajoneve, Braçe: Janë paranoja të ca humbësve

Mazhoranca rrëzon akuzat e opozitës jashtë parlamentit se ligji për zhvillimin rajonal dhe kohezion centralizon fondet e pushtetit vendor në duart e qeverisë. Zv.kryeministri Erion Braçe, që ligji i ri e ngarkon për zbatimin e këtij mekanizmi, pohoi për A2 se Parlamenti rregulloi me ligj atë që prej vitesh ndodhte në praktikë.

“Këto rajone për të cilat flasin ata dhe që iu referoheni ju kanë nja 5 a 6 vite që janë funksionalë, si rajone zhvillimi ku adresohen politikat e qeverisë”, thotë Braçe. “Nuk dua asnjë qindarkë, dhe ky projektligj nuk merr asnjë qindarkë të bashkive, nuk merr asnjë qindarkë të këshillit të qarkut. Përkundrazi, jep”.

Numri dy i qeverisë është i prerë kur flet për zero kompetenca të prekura të bashkive nga ky ligj. “Ky ligj, të cilit iu referuan dje të marrët si një instrument që do të zhvat fondet e Bashkimit Europian, që iu merr kompetencat bashkive, këshillave të qarqeve, nuk është hartuar nga unë, as nga dikush tjetër këtu në Këshillin e Ministrave. Ky ligj është hartuar me ndihmën e qeverisë zvicerane e austriake”.

Një kundërpërgjigje nga zv.kryeministri edhe për dyshimin tjetër të opozitës se pas kësaj lëvizjeje, Rama ka bërë llogaritje elektorale. “Këto janë paranoja të ca humbësve”, u shpreh ai.