Basha: Ndihma për ekonominë nga qeveria, as 1% e GDP, PD i rikthen frymëmarrjen vendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se paketat ekonomike të qeverisë për përballimin e pandemisë së koronavirusit rezultuan gjysmake dhe pa asnjë efekt për të lehtësuar krizën për qytetarët dhe bizneset. “Ndihma reale për ekonominë nga qeveria Rama nuk arriti as në 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke u renditur e fundit në rajon. Faktet sot tregojnë se është lëvruar vetëm 32% e fondit total të dy paketave të premtuara nga qeveria”, shkroi Basha në Facebook.

Sipas tij, shqiptarët janë sot më të varfër se kurrë këto 30 vitet e fundit dhe qindra biznese të vogla kanë mbyllur dyert, mijëra qytetarë kanë humbur vendet e punës, qindra studentë e kanë të pamundur të përballojnë jetën studentore. “Këtë vit shumë familje  do ta kenë të pamundur të çojnë fëmijët në universitete për shkak të pamundësisë ekonomike. Ndërsa qeveritë në mbarë botën po vazhdojnë mbështetjen ekonomike dhe sociale për bizneset, qytetarët e veçanërisht të rinjtë qeveria e Shqipërisë ofron vetëm video 3D dhe propagandë”, u shpreh Basha.

Basha kritikon qeverinë, pasi refuzoi propozimet konkrete të PD për të parandaluar thellimin e krizës ekonomike si dhe strategjinë e daljes nga karantina. “Partia Demokratike është angazhuar seriozisht me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj për t’i kthyer frymëmarrjen vendit, për ta sjellë ekonominë në shinat e zhvillimit dhe siguruar punësimin e shqiptarëve. Punësimi  mbetet prioriteti im kryesor dhe për ta garantuar këtë ne  do të marrim vendimet dhe veprimet e nevojshme. Lehtësimi i barrës fiskale, përgjysmimi i lejeve dhe licencave dhe ulja e taksës së punës janë disa nga masat e para që do marrë qeveria jonë. Ne do të krijojmë kushtet ekonomike dhe sigurinë e nevojshme që investitorë të huaj me potenciale të mëdha punësimi të vijnë në Shqipëri. Çlirimi i ekonomisë nga monopolet dhe oligarkët do t’i hapë rrugë tregjeve të lira, zhvillimit dhe punësimit të njerëzve. Pavarësisht vështirësive që po kalojmë, këto kohë jam i bindur se së bashku do t’ia dalim të sjellim #ditëmëtëmira për Shqipërinë dhe shqiptarët përmes një qeverie normale që punon për qytetarët dhe jo për një grusht oligarkësh”.