“Ka keqinformim mbi koronavirusin”, Facebook, Twitter dhe YouTube fshijnë postimet e Trump

7f42e599 98a1 4f39 bcdf 357827a08735 1100x620

Facebook, Twitter dhe YouTube, 3 prej platformave kryesore të rrjeteve sociale në botë, fshinë postimet e presidentit Donald Trump pasi sipas tyre thyen rregullat e keqinformimit rreth koronavirusit.

Në postimin e fshirë në Facebook ishte një video nga një intervistë e Trump në emisionin “Fox&Firends” në Fox News, ku presidenti thoshte se fëmijët janë “thuajse imunë” ndaj koronavirusit. “Video përmbante pretendime false se një grup njerëzisht janë imunë ndaj Covid-19, çka shkel politikat tona rreth informacioneve të dëmshme lidhur me koronavirusin”, tha një zëdhënës i Facebook.

Një postim në Twitter në llogarinë @TeamTrump, që merret me fushatën presidenciale, gjithashtu u fshi pasi shkelte rregullat e keqinformimit. Një zëdhënës i Twitter tha se video duhej fshirë në mënyrë që administratorët e llogarisë të mund të postonin sërish.

Edhe YouTube, përmes një zëdhënësi, tha se kishte fshirë videon pasi përmbante keqinformime rreth Covid-19. Por intervista e plotë nuk është fshirë nga kanali në YouTube i Fox News.

Skuadra e fushatës presidenciale të Trump akuzoi kompanitë se po rreshtoheshin kundër presidentit, duke thënë se Trump thjesht kishte treguar një fakt. “Kompanitë e mediave sociale nuk janë arbitër të të vërtetës”, tha Courtney Parella, zëdhënëse e skuadrës së fushatës presidenciale të Donald Trump.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), edhe pse pjesë më e madhe e rasteve me Covid-19 përfshin të rritur, disa fëmijë dhe foshnje kanë shfaqur simptoma të sëmundjes dhe mund t’ia transmetojnë të tjerëve.

Sipas një analize të bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nga 6 milionë rastet e konfirmuara në periudhën 24 shkurt-12 korrik 2020, 4,6% ishin fëmijë të moshës 5-14 vjeç.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi veprimet e mediave sociale, gjatë një konference për mediat, Trump përsëriti qëndrimin e tij. “Fëmijët e përballojnë shumë mirë sëmundjen. Nëse shihni numrat, sa i përket vdekshmërisë, për fëmijët nën një moshë të caktuar, sistemi imunitar është tepër i fortë. Ata duket se po e përballojnë shumë mirë sipas çdo pretendimi statistikor”.