Situata me pandeminë, Pipero: Ende nuk dimë origjinën e virusit, duhen vite për një medikament

6 GUSHT DITARI 19 00 PGM frame 32585 1100x620

Qindra laboratorë dhe kompani në të gjithë botën janë vënë në lëvizje për të gjetur një medikament apo për të prodhuar vaksinën që do të mbrojë njerëzit nga koronavirusi apo që do të izolojë dhe agresivitetin e tij.

Në lidhje më këto zhvillimet, mjeku Pëllumb Pipero u shpreh se duhen ende vite për prodhimin e një medikamenti për të kuruar koronavirusin pasi shkencëtarët ende nuk kanë zbuluar origjinën e këtij virusi.

Sipas Piperos, lajm i mirë vjen nga kompanitë që po punojnë për vaksinën dhe ai shpreson se në fund të këtij viti apo në fillim të tjetrit ajo do të jetë gati. Megjithatë Pipero bën thirrje nga qytetarët që të zbatojnë masat e thjeshta kundër koronavirusit pasi ato ulin në mënyrë drastike përhapjen e tij.

“Një javë më parë OBSH “urdhëroi” të gjithë shkencëtarët për të zbuluar origjinën e këtij virusi, pasi ende nuk dihet kjo gjë. Evidencat të çojnë në Wuhan, por origjinën ende nuk e dimë.

Që të shpiket një medikament anti-Covid duhen vite, pasi është një virus i ri, ndërsa për vaksinën 18-24 muaj. Lajme të mira po vijnë për prodhimin e vaksinës. Mendoj se në fund të këtij viti apo në fillim të vitit do të kemi një vaksinë.

Ne të gjithë mendonim se ishte një virus respirator. Por ai nuk iu bindet ligjësive të viruseve respiratorë dhe për këtë arsye do të bashkëjetojë gjatë me ne. Maska dhe higjiena janë masat kryesore që duhet të ndërmarrim”, u shpreh Pipero.