Vasili: Ndarja e Shqipërisë në 4 zona buron nga paniku që po kaplon qeverinë

Një nga projektet e fundit të qeverisë, në kuadër të koordinimit rajonal, është ndarja e Shqipërisë në 4 zona, që opozita i ka cilësuar si vilajete.

Sipas Petrit Vasilit të LSI, ky vendim konfigurohet si “rrëmbim i pushtetit lokal për hir të qeverisë, e neveritshme”, ndërkohë që Kushtetuta e përcakton qartësisht rolin e qarqeve, që nga viti 2015 përfshin njësi administrative të ndryshme por të lidhura nga afërsia gjeografike, historike dhe ekonomike.

Çdo gjë jashtë tekstit themeltar të vendit duhet të kalojë të paktën përmes diskutimeve publike, diçka që sipas nënkryetarit të LSI-së ka ndodhur në mënyrë aspak transparente dhe të dyshimtë.

“Ata thonë se këto konsultime i kanë bërë, por unë i kam denoncuar sepse  thonë se konsultimet janë kryer në periudhën mars-maj 2020, ndërkohë që të gjithë e dimë se ishim në karantinë në atë kohë”, thotë Vasili për A2.

Sipas Vasilit, arsye e këtij projekti të ri që sipas tij zhbën reformën e vitit 2015 buron nga “paniku që i kaplon, prandaj duhet rrëmbyer pushteti dhe paratë e fundit. Njerëzit kanë filluar të qajnë komunat e dikurshme”.

Për Vasilin, Rama dhe mazhoranca e ka “shqyer vetë kontratën me popullin, dhe ajo nuk qepet më, kjo do të zyrtarizohet ditën e zgjedhjeve”.