Aksi Milot-Fier, Minarolli: Projekti është dyfish më i shtrenjtë se kostoja

Partia Demokratike ka kërkuar anulimin e koncesionit për rrugën Milot –Fier e cila do të kushtojë 1,2 miliardë euro. Nga Rrogozhina, Sekretari për Burimet Njerëzore, Ervin Minarolli denoncoi atë që e cilësoi koncesion korruptiv, që çdo shqiptari do t’i kushtojë 17,4 euro.

“Strategjia e rrugëve me pagesë, e miratuar në 2016-n nga e njëjta qeveri, rekomandon vlerën maksimale prej 3,5 cent për km ose 3,5 Euro për 100 km. Pra, krahasuar edhe me dokumentet që vetë kanë miratuar, kostoja që duhet të paguajë qytetari për rrugën është thuajse dyfishuar”, tha Minarolli.

Çfarë e bën më të rëndë abuzimin, sipas demokratëve, është fakti se gjysma e gjatësisë së autostradës  është ekzistuese. “Nga 115 kilometra, 62 prej tyre janë rrugë ekzistuese. Tani jemi në një segment të tillë që ka nevojë vetëm për rikonstruksion, për të rritur cilësinë e rrugës. Për ne, është e papranueshme që koncesioni ta trajtojë këtë si një rrugë që ecën në një gjurmë të re, duke fryrë koston dhe, bashkë me të, edhe faturën që paguan në fund qytetari”.

Minaroli i kujtoi qeverisë, faturën që paguanin shqiptarët kur vendin e drejtonin demokratet. “Rruga më e re e përfunduar kohët e fundit është bypass i Fierit. Është një rrugë që e nisëm ne 7 vjet më parë. Ne siguruam fondet dhe lamë gati një procedurë ku 1 km rrugë ka kushtuar 1,8 milionë euro. Ndërsa qeveria në ikje e Edi Ramës po kërkon ta tenderojë rrugën Milot-Fier me rreth 20 milionë euro kilometri, po të llogaritet që 62 kilometra te saj janë rrugë ekzistuese”.

Njësoj si me kontratat e tjera koncesionare, demokratët kanë paralajmëruar mosnjohjen e tyre, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit.