Ish-ministri i Arsimit, Tafaj: Shkollat duhet të rihapen, të bashkëjetojnë me pandeminë

Çfarë do të ndodhë me vitin shkollor është një pyetje që të gjithë po e shtrojnë, në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën. Një çështje delikate, për të cilën po zhvillohen debate kudo, sidomos për faktin që bëhet fjalë për fëmijët, të cilët e mbyllën vitin e kaluar nga shtëpia me mësim online.

Për ish-ministrin e Arsimit, Myqerem Tafaj, sikurse e gjithë shoqëria po bashkëjeton me pandeminë e koronavirusit, kështu duhet të jetë edhe për shkollën. “Pavarësisht nga gjithë diskutimet, 3 janë përfundimet kryesore ku kanë mbërritur ekspertët e arsimit, sociologjisë dhe epidemiologjisë. Së pari, pandemia çoi në një prapambetje të qartë në formimin arsimor të nxënësve në mbarë botën, për shkak se mësimi online është larg atij në auditorë. Prapambetja është më e madhe sa më të varfër të jenë nxënësit”, tha Tafaj i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2.

“Është vërtetuar që mësimi online është gati i pamundur për arsimin fillor. Është ndryshe në gjimnaz dhe në universitete është në situatë tjetër. Në këto kushte e gjithë bota po vërtitet në 3 rekomandime, shkolla duhet të bashkëjetojë me virusin. Sot, edhe ekonomistët edhe sociologët e rendisin shkollën para ekonomisë. Nuk duhet menduar më se duhet ta përballojmë këtë online. Rruga është hapja e shkollës dhe ndërmarrja e të gjithë masave, higjiena, distanca fizike dhe maska. Kjo do të thotë që bashkitë dhe drejtoritë arsimore duhet të përgatisin shkollat dhe ne nuk po dëgjojmë që të bëhet ndonjë punë për këtë”, shtoi ai.

Sipas Tafajt, janë vetë prindërit që nuk e pranojnë më mësimin online, sidomos nënat, të cilat kanë punuar po aq sa mësuesit gjatë kohës së izolimit me fëmijët e tyre. “Pandemia mund të zgjasë për disa vite. Zgjidhja është bashkëjetesa duke respektuar masat. Mësimi online mund të përdoret vetëm në shkollat që mund të  bëhen vatra dhe duhet të mbyllen përkohësisht, pra zgjidhje të pjesshme”, tha ai.

Ish-ministri i Arsimit mendon se mundësia për të respektuar distancimin fizik, një prej masave kryesore në luftën kundër koronavirusit, është mëse e realizueshme. “Në 60% të shkollave ekziston mundësia për të siguruar distancën. Sigurisht në shkollat e Tiranës, Durrësit, në disa shkolla të Shkodrës, Vlorës, qyteteve të mëdha, numri i nxënësve është ende i madh dhe mund të kalohet në turne. Shkollat e zonave rurale është më e thjeshtë, sepse dendësia është ulët dhe mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël. Në shkollat e qyteteve duhet të marrin masat për sigurimin e kushteve higjieno-sanitare”, tha ai. “Ky eksperiment nuk mund të vazhdojë më, ishte një zgjidhje emergjente, pasi u gjetëm të papërgatitur, tani është një bashkëjetesë, duke respektuar masat, por duke mos cenuar formimin e nxënësve”.