Kujdesi ndaj shëndetit mendor, alarmi i psikoterapistes: Shteti ka dështuar, menaxhim sipërfaqësor

Krimi makabër brenda familjes në Buçimas të Pogradecit, ktheu vëmendjen te kujdesi që tregon shteti dhe shoqëria ndaj personave me probleme mendore. Për psikoterapisten Adelina Pjetra, drejtuese e një qendre të shëndetit mendor, strukturat shtetërorë bëjnë një menaxhim sipërfaqësor të këtyre rasteve.

“Shteti shqiptar çalon që ke hallka e parë, trajtimi spitalor. Që aty ka probleme, te mungesa e trajtimit, ose medikamentet e skaduara, që nuk japin asnjë lloj efekti. Ne si shoqëri po paguajmë neglizhencën e shtetit për shëndetin mendor”, thotë Pjetra.

Sipas ekspertes, shpesh përgjegjës për moskujdesje ndaj individëve me probleme mendore janë edhe familjarët e tyre. “Shikoj shpesh që ata, nga turpi i shoqërisë, nuk i deklarojnë ose nuk ndërmarrin hapa për të trajtuar familjarët e tyre, çka sjell sërish rezultatet e rëndimit të gjendjes”.

Por çfarë kostoje ka për shoqërinë lënia jashtë kujdesit të individëve të tillë? “Një person që nuk merr trajtimin e duhur paraqet rrezikshmëri ndaj të gjithëve”. Në formën e një apeli, psikoterapistja sugjeron kthimin në kulturë të kujdesit ndaj shëndetit mendor. “Të fillojë një valë për të gjithë ne që të marrim masa për shëndetin mendor. Të bëhet kulturë, të bëhet si check-up-i”