Masakroi të ëmën, 44-vjeçari me kartelë mjekësore por nuk kishte pranuar kurrë mjekimin

Banorët e Buçimasit në Pogradec janë tronditur nga ngjarja makabre e të enjtes në mbrëmje. Një 44-vjeçar, i identifikuar si Olsi Çekiçi ka qëlluar me thikë dhe ka vrarë nënën e tij 70-vjeçare Firdes Çekiçi. Por makabriteti i kësaj ngjarje nuk ka përfunduar thjesht me vrasjen e të moshuarës. 44-vjeçari e ka shkëputur kokën nga trupi i nënës së tij dhe kokën e vendosi në derën e jashtme të oborrit.

Ngjarja e rëndë është njoftuar fillimisht nga komshinjtë e familjes Çekiçi, ndërsa Policia e mbërritur në vendngjarje ka arrestuar Olsin si dhe ka gjetur kokën e viktimës në derën e jashtme ndërsa trupi ishte brenda ambienteve të shtëpisë.

Të dhënat paraprake flasin se 44-vjeçari ka pasur probleme të shëndetit mendor. Nga spitali i Pogradecit konfirmojnë se ndaj Olsi Çekiçit është hapur një kartelë mjekësore për probleme mendore, por asnjëherë ai nuk kishte pranuar të merrte mjekim.

Ndërkohë, burimet policore bëjnë të ditur se gjendja e rënduar mendore e vrasësit u konstatua edhe pas ndalimit te tij, ndërsa deklaratat që ka dhënë kanë qenë të pakuptimta, çka përforcon idenë se ngjarja ka ardhur si pasojë e problemeve mendore.

Këto janë ngjarje të përsëritura kur persona me probleme të shëndetit mendor kryejnë krime të rënda si pasojë e mostrajtimit dhe lënies së tyre pa asnjë lloj përkujdesjeje.