Në kërkim prej gati gjysmë shekulli, arrestohet nga polici që kishte plagosur

Histori e vërtetë, edhe pse ngjan me një skenar filmi. Një person i cili qëndronte në arrati për gati gjysmë shekulli është arrestuar të mërkurën, ironikisht nga i njëjti efektiv policie të cilin kishte plagosur në vitin 1971.

Luis Archuleta, tashmë 77 vjeç, ishte arratisur nga një burg në Kolorado në vitin 1974 ndërsa vuante dënimin për plasogjen me armë të policit Daril Cinquanta në Denver 3 vite më parë. Deri para arrestimit të mërkurën, ai jetonte i qetë si një qytetar i zakonshëm në Nju Meksiko. Për rreth 40 vite Archuleta përdorte emrin e rrëme Ramon Montoya, tha FBI, edhe pse në vitet 2009 dhe 2010 kishte qenë pjesë e listës së 10 personave më të kërkuar në Amerikë.

Cinquanta, i cili ishte qëlluar në stomak dhe më pas kishte dalë në pension në vitin 1990, tha për një televizion lokal, Fox31, se gjetja e personit që e kishte plagosur ishte shndërruar si një hobi për të. “Nuk u dorëzova kurrë, kjo tregon që këmbëngulja shpërblehet”, tha ai.

Cinquanta tha se kishte marrë një telefonatë më 24 qershor, që praktikisht ia kishte servirur Archuleta-n në një pjatë argjendi. “Më thanë në telefon se do të më thoshin ku ishte dhe adresa ishte e saktë. Ai ishte në kërkim prej 46 vitesh dhe kisha 46 vite që e kërkoja. Tani nidhem shumë mirë”.

“Arrestimi i tij duhet të dërgojë një mesazh të qartë ndaj kriminelëve kudo ku janë, FBI do t’iu gjejë, pavarësisht sa kohë do të duhet dhe sa larg do të vraponi. Do t’iu vëmë para drejtësisë”, tha Agjenti Special i FBI në Denver, Michael Schneider, i cili ishte në krye të operacionit për arrestimin e Archuleta-s.