Patozi: PD e humbi shansin të ishte lokomotivë e ndryshimit, ne mund të ishim vagon

Astrit Patozi mendon se marrëveshja e 5 qershorit nuk ishte ajo që pritej prej politikës shqiptare, të paktën partisë së cilës dikur i përkiste, asaj Demokratike. “PD, e humbi këtë shans. Ajo kishte shansin historik që të ishte lokomotiva e ndryshimit të madh në Shqipëri dhe ne sigurisht do të ishim një nga vagonët, nëse do të na pranonin. Gjithsesi e kemi ndërtuar rrugëtimin tonë jo të kushtëzuar me rrugëtimin e të tjerëve”, tha koordinatori i Bindjes Demokratike, i ftuar në Ditarin e A2.

Duke komentuar skemën e re të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në PD, Patozi tha: “Ky komision do të shërbejë për ta shpëtuar Lulzim Bashën nga përgjegjësia. Që do të thotë, pakënaqësitë e atyre që nuk do ta gjejnë veten te listat e deputetëve do t’i shkarkohen komisionit, kurse meritën e gëzimit që do të mbeten në listë do ta marrë Basha. Është njëlloj si me tenderët. Askush nuk e di kush ishte në komisionin e caktimit të fituesit, por të gjithë merren me kush e dha dhe kush e fitoi tenderin”.

Patozi mendon se ka ardhur momenti që shqiptarët të kenë më shumë se dy mundësi në zgjedhje. “Tashmë i kanë provuar të gjitha llojet e aleancave të qelbësirave, një term i rëndë por që e kanë përdorur kundër njëri-tjetrit. Nëse do të kishim vetëm dy alternativa do të ishim në vendnumëro.  Sot është koha që kjo shoqëri të prodhojë forca të reja politike, të ndryshme nga dy blloqet e vjetra dhe të zakonshme të politikës primitive në Shqipëri”, tha ai.

“Ftesa ime ishte për çdo aktor politik që do ndryshimin dhe jo thjesht rotacionin, çdo politikan që mendon që mund të ketë rol në zgjedhjet e ardhshme duhet të guxojë. Nëse kjo nuk ndodh, ajo që vjen pas zgjedhjeve do të jetë edhe më keq se sa jemi sot. Përveç markës së të fortit do të kenë edhe markën e demokratit, ndërkohë që nuk kanë qenë asnjëherë në këto dy dekada. Elektorati shqiptar ka qenë i dorëzuar dhe iu përshtatur me rrethanat ku dy aktorët kryesorë e kanë detyruar të zgjedhë të keqen më të vogël. Ky është rasti që diga ka një të çarë, një mundësi që nëse nuk shfrytëzohet, ne mund të kalojmë edhe 30 vite të tjera e të mos bëjmë asnjë hap përpara”.

Bindja Demokratike është në dispozicion të çdo fronti që është kundër dy blloqeve të politikës, shtoi Patozi, të cilët na e kanë dhënë sinjalin sesi e duan ata Shqipërinë. “Kjo është marrëveshja e 5 qershorit, që tregon se ata duan t’i lënë gjërat siç janë. Ne e dimë se çfarë na pret. Ne duhet t’i primë zemërimit popullor për këtë politikë primitive, e t’i japim publikut alternativë tjetër. Unë mendoj se ky është çast historik që publiku të prodhojë forca të reja dhe pse jo, një koalicion opozitar që të jetë një alternativë e re për Shqipërinë”, tha ai.

“Mendoj që në shtator, ata që kanë ndërmend të luajnë një rol në politikën e këtij vendi, mendoj që do ta nxjerrin kokën në shtator. Nuk ka arsye pse të presin më, madje do të thosha që janë të vonuar. Nëse nuk zbresim në fushë, do të thotë që ua kemi lënë vendin qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe opozitës së lodhur të Lulzim Bashës. Nëse nuk ia japim publikut këtë mundësi do të thotë që jemi të pajtuar me dy blloqet e mëdha dhe do të themi që do të zgjedhim gjithmonë të keqen më të vogël. Ne do të japim kontribut në këtë lloj sipërmarrje. Me listat e hapura ne kemi vetëm 2 rrugë, ose çdo parti të futet me listë më vete, ose disa parti të kenë një listë të përbashkët. Hezitimi i PD është një taktikë hileqare që e bën për të mbajtur “me gajret” aleatët nga frika se mos i ikin. Bindja Demokratike është e prirur të hyjë në një listë me forca të ngjashme që kërkojnë ndryshimin jo thjeshtë rotacionin”.