Shpërthimi në Bejrut, protestuesit antiqeveritarë përleshen me policinë

Bejruti i gjunjëzuar nga shpërthimi katastrofik i së martës, përfshihet nga protestat anti qeveritare.  Manifestuesit u përleshën me forcat e sigurisë pranë godinës së parlamentit, ndërsa polica u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Demonstruesit janë të zemëruar nga shpërthimi shkatërrues, i cili sipas zyrtarëve u shkaktua nga 2750 ton nitrat amoni i magazinuar në mënyrë të pasigurt që prej vitit 2013. Shumë në Liban fajësojnë neglizhencën e qeverisë për ngjarjen ku mbetën të vrarë të paktën 137 persona dhe u plagosën rreth 5 mijë të tjerë. Lagje të tëra në kryeqytetin e Libanit u rrafshuan si pasojë e shpërthimit, me shtëpi e biznese që u reduktuan në rrënoja.

Dhjetëra personave vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për gjetjen e të mbijetuarve. Një ekip francez që po ndihmon në operacion, tha se kishte ende shanse për gjetjen e personave të gjallë nën rrënoja. Spitalet janë në gjendje të mjerueshme dhe nuk kanë shtretër e pajisjet e nevojshme për të trajtuar të plagosurit.

Mbi 300 mijë vetë besohet të kenë mbetur të pastrehë. Agjencia shtetërore e lajmeve bëri të ditur se 16 persona janë ndaluar, si pjesë e hetimeve të njoftuara këtë javë nga autoritetet. Që prej tragjedisë, dy zyrtarë kanë dhënë dorëheqjen; një parlamentar dhe ambasadori i Libanit në Jordani. Sipas tyre katastrofa tregonte nevojën për ndryshim të lidershipit.

Më herët gjatë së enjtes presidenti francez Emanuel Macron vizitoi gjithashtu qytetin dhe tha se Llibani kishte nevojë për ndryshime rrënjësore. Ai bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar lidhur me ngjarjen.