Rritja e rasteve me Covid-19, virologët gjermanë: Maska të mbahet edhe gjatë mësimit

GJERMANIA MASKAT frame 279 1100x620

Ekspertët  e sëmundjeve infektive në Gjermani kërkojnë që maska të bëhet e detyrueshme nëpër shkolla, përfshirë gjatë mësimit, teksa institucionet arsimore në vend po rihapen pas pushimeve verore.

“Për shkak të rrezikut real të infektimit nga nxënës që janë asimptomatik, ne kërkojmë mbajtjen e maskës tek të gjitha klasat, përfshirë gjatë mësimit”, thuhet në një letër të hapur në websajtin e shoqërisë për virologjinë të shtunën.

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu klasa me më pak nxënës, masa të shtuara për qarkullimin e ajrit dhe zgjatje të mundshme të pushimeve për Krishtlindje, nëse do të ketë rritje të rasteve me Covid-19 gjatë sezonit të dimrit.

Autoritetet në Gjermani thanë se 1122 infektime të reja u konfirmuan të premten, dita e tretë radhazi me më shumë se 1 mijë raste. 12 persona humbën jetën, për një total prej mbi 9100 viktimash. Nga e shtuna, të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt Gjermanisë nga shtetet më rrezik të lartë, do të duhet t’i nënshtrohen testit për Covid-19 pas mbërritjes.