Situata në Liban, protesta, dorëheqje dhe thirrje për solidaritet

Pas protestave të dhunshme që pasuan shpërthimin e së martës në portin e Bejrutit, ministrja e Informacionit në qeverinë e Hasan Diab bëhet e para anëtare e kabinetit që u dorëhiqet.

Manalabdul Samad tha se po i bindej thirrjeve të turmës që kërkonte dorëheqjen e qeverisë pas shpërthimit që mori të paktën 150 jetë njerëzish e plagosi mbi 6 mijë të tjerë.   

Në vendin e shpërthimit të provokuar nga 2750 tonelata nitrat amoni është krijuar një krater 43 metra i thellë dhe instituti amerikan i gjeofizikes njoftoi që ngjarja shkaktoi një termet prej 3.3 të shkallës Rihter. Në konferencën e donatorëve të së dielës, e thirrur prej presidentit francez Emanuel Macron, u kërkua një fond prej 85 milionë dollarësh për ndihma mjekësore.

 “Dua së pari t’i bëj një apel autoriteteve vendore, që të mobilizohen në mënyrë që Libani të mos degradojë. Përgjigjuni kërkesave të popullit që proteston në rrugë dhe mundohuni të shmangni dhunën dhe kaosin”, deklaroi Macron.  

Asaj që ndodhi në Beirut i kushtoi rendësi edhe papa Francesku, gjatë lutjeve në Vatikan.

 “Kërkoj një ndihmë bujare nga komunitetet ndërkombëtare. U kërkoj gjithashtu peshkopëve të kishave të vendit, klerikëve dhe besimtarëve në Liban që të qëndrojnë pranë njeri-tjetrit në këto momente të vështira dhe të japin shembullin e tyre duke iu larguar jetës së luksit në një kohë kur shumë vëllezër dhe motra po lëngojnë dhe vuajnë humbjen e ambienteve të banimit dhe pasurive të tjera”, ishte mesazhi i Papa Françeskut.  

Në Beirut mbi 300 mijë persona kanë mbetur të pastrehë si pasojë e shpërthimit të së martës.