400 vjet në heshtje, shpërthen vullkani pjesë e “Unazës së Zjarrtë”

Ditën e sotme banorët e ishullit të Sumatrës në Indonezi u zgjuan nga fuqia shkatërruese e vullkanit Sinabung, i cili po shpërthen duke çuar kolonën e tymit disa kilometra në ajër, dhe duke mbushur me hi çdo cep të asaj zone.

Indonezia njihet për vullkanet e saj, rreth 120 aktivë, që përbëjnë atë që vullkanologët quajnë si “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”.

Aktualisht, vetëm dy nga këto vullkane janë në proces erupsioni, dhe njeri prej tyre është pikërisht Sinabung.

Banorët e Sumatrës deri më 10 vite më parë nuk mendonin se Sinabung mund të ishte një rrezik. Vullkani ne fakt kishte mbetur i heshtur për më shumë se 400 vjet.

Por në vitin 2010 ai u zgjua nga “gjumi” i tij i gjatë, duke shkaktuar erupsione të njëpasnjëshme që kanë shkaktuar të paktën 23 viktima gjatë dekadës.