Çështja “Tahiri”, ish-ministri bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e ka zhvendosur betejën e tij me drejtësinë në Gjykatën e Lartë. Tahiri ka kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm të 26 qershorit, që e ktheu dosjen në ngarkim të tij për rigjykim në Shkallën e Parë.

Vendimit në fjalë i është bërë rekues edhe nga i bashkëpandehuri i Tahirit, ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Sipas burimeve të A2, Tahiri dhe Çela i kërkojnë Gjykatës së Lartë të prishë vendimin e Apelit dhe të pushojë çështjen në ngarkim të tyre.

Rekursi i Jaeld Çelës

Kjo lëvizje e Tahirit dhe Çelës erdhi në ditën e fundit të afatit 45 ditor të parashikuar në ligj për kundërshtim të vendimeve të Apelit për rekurs në Gjykatën e Lartë. Pas vendimit të Apelit, dosja pritej të shkonte për rigjykim nga zero në Shkallën e Parë, por tashmë kjo nuk do të ndodhë derisa Gjykata e Lartë të shprehet për çështjen.

Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë.