Covid-19 në botë, rriten vdekjet në Australi, rekord rastesh në SHBA e Brazil

Australia regjistron ditën më numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi, mes shpërthimit të një vale të dytë të infektimeve nga Covid-19 në Melburn. Shteti Viktoria, kryeqytet i të cilit është Melburni, raportoi 19 humbje jetësh ditën e hënë. Viktoria numëron 2/3-at e totalit prej 314 vdekjesh dhe 21 400 rasteve me Covid-19.

Por numri i infektimeve ditore, që vazhdon të jetë te qindrat, ka shënuar rënie gjatë ditës së fundit, duke nxitur shpresën se kufizimet strikte po japin rezultat. 322 raste të reja u shënuan në 24 orët e fundit në Viktoria, ndërsa 5 ditë më parë ishin 725. Izolimi i dytë i Melburnit nisi rreth 1 muaj më parë, por banorët u janë nënshtruar masave më të rrepta, si ndalimi I lëvizjes gjatë orëve të natës, që prej 3 gushtit. Punonjësit duhet të kenë leje të posaçme për të dalë nga shtëpia dhe të gjitha bizneset jo të domosdoshme janë mbyllur. Mbajtja e makës është bërë gjithashtu e detyrueshme.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara dhe Brazili arrijnë shifra të frikshme, duke raportuar respektivisht më shumë se 5 milionë dhe 3 milionë raste me koronavirusit. Viktimat në SHBA janë mbi 160 mijë ndërsa në shtetin amerikano latin kanë humbur jetën më shumë se 100 mijë persona. Presidentët  e të dyja vendeve Donald Trump dhe Jair Bolsonaro, e kanë minimizuar në disa raste impaktin e virusit dhe kanë kundërshtuar masat qe mund të dëmtojnë ekonominë.

Me shqetësim po ndiqet rritja e rasteve edhe në Europë, me Britaninë e Madhe që raportoi mbi 1 mijë infektime të reja, për herë të parë që prej muajit qershor. Krejt e ndryshme paraqitet situata në Zelandën e Re, ku është shënuar dita e 100 pa asnjë rast të brendshëm me Covid-19.