Durrës, dëmet e tërmetit, banorët: 9 muaj që presim ekspertizën për pallatin

Dhjetëra banorë të pallatit numër 2008 në lagjen 5 të Durrësit, ende nuk e dinë fatin e pallatit të tyre të dëmtuar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Prej 9 muajsh ata enden në banesa me qira, ndërsa nuk kanë marrë asnjë përgjigje mbi gjendjen teknike të godinës 7-katëshe.

Ekspertiza paraprake e bërë nga grupet e huaja që ndodhen në Durrës e kanë nxjerrë me anim të rrezikshëm, por ende mungon ekspertiza e thelluar e Institutit të Ndërtimit.

Madje banorët e këtij pallati denoncojnë faktin se pallate të tjerë më të lartë me anim më të vogël janë vendosur për t’u prishur, ndërsa për pallatin e tyre nuk vjen askush të marrë një vendim.

Në mënyrë të përsëritur këta banorë i kërkojnë Institutit të Ndërtimit dhe Bashkisë që të marrë masa për problematikën që kanë, pasi ato apartamente janë kursimi dhe investimi i jetës së tyre.