Thellohet kriza ekonomike, inflacioni zbret në 1,4%, konsumi “pa shenja jete”

Kriza ekonomike dhe pasiguria për të ardhmen kanë frenuar shpenzimet e shqiptarëve. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave, raportojnë se inflacioni zbriti në 1,4% në fund të korrikut, duke dëshmuar se konsumi nuk po jep shenja rimëkëmbjeje.

Për të katërtin muaj radhazi që prej marsit, ky tregues shfaq rënie të çmimeve nga muaji në muaj, edhe për produktet bazë të shportës ushqimore, përfshirë frutat dhe perimet, mishin dhe ushqimet e ambalazhuara.

Familjet shqiptare këtë periudhë kanë shpenzuar më pak edhe për t’u veshur, për të arreduar shtëpinë, apo për pushime dhe argëtime të tjera. Ndërsa karburantet janë ndër produktet e vetme që kanë ndaluar rënien, teksa kërkesa është rritur pas rihapjes së qarkullimit dhe rinisjes së transportit publik.

Me këtë ritëm, pritet që muaji gusht të shënojë një rënie më të theksuar të inflacionit, ndikuar nga mungesa e turistëve të huaj.

Ndërkohë në vendet e Bashkimit Europian, inflacioni është në një trend të lehtë rritjeje tashmë prej dy muajsh. Nëse kjo do të thotë se kriza e konsumit në Europë është shkaktuar kryesisht si pasojë e masave shtrënguese nga Covid-19, në vendin tonë kjo krizë është përthithur tashmë në të gjithë ekonominë dhe do të kërkojë një kohë më të gjatë për rimëkëmbjen.