“Një martohet, njëqind dënohen”, dasma e morte në pandemi, mbi 40 milionë lekë gjoba lokaleve

Dëshira e çifteve për një dasmë me miq dhe farefis edhe pse në kohë pandemie dhe tundimi i pronarëve të lokaleve për të shtuar fitimet në dhjetëra raste ka rezultuar më i madh se frika e të dy palëve nga koronavirusi.

Por shkelja e protokolleve të sigurisë ka rezultuar me pasoja financiare për këta të dytët. Të paktën 40 pronarë lokalesh janë gjobitur nga Policia e Shtetit gjatë muajve të fundit, pasi janë zënë duke zhvilluar ceremoni martesore apo mortore në ambiente të mbyllura.

Burime të A2 pranë policisë saktësuan se bëhet fjalë për gjoba nga 1 milionë lekë, gati 40 milionë në total, në zbatim të aktit normativ të 15 marsit për marrjen e masave gjatë situatës COVID.

Në më shumë se 10 raste pronarët e lokaleve nuk kanë zënë mend, pasi kanë vijuar punën me dasmat apo vakitë edhe pas gjobës. Pas konstatimit të përsëritjes së shkeljes atyre iu është bllokuar aktiviteti për 6 muaj si edhe kanë marrë gjoba nga 3 milionë lekë.

Sipas burimeve, totali i gjobave të prera nga Policia e Shtetit për pronarë biznesesh apo individë që kanë neglizhuar dhe shkelur protokollet e sigurisë COVID 19 është mbi 70.

A2 mësoi se numri më i lartë i të pabindurve për masat e sigurisë ndaj koronavirusit i përket kryeqytetit. Në rang zbritës, pas Tiranës vijnë Lezha, Vlora, Berati, Fieri, Dibra dhe Korça.