Shqipëria 5 muaj me Covid, Shehu: Qeveria të kërkojë ndihmën e Italisë, duhen urgjent 100 njësi reanimacioni

Pasi e quajti të dështuar strategjinë e deritanishme të qeverisë kundër koronavirusit, ish deputeti demokrat Tritan Shehu i bëri thirrje qeverisë që të kërkojë mbështetje nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia.

Ish ministri i Shëndetësisë sugjeroi të kërkohet ndihmë nga Italia e cila tashmë ka struktura dhe eksperiencë më të madhe për të sëmurët me koronavirus.

Sipas Shehut, sistemi shëndetësor ka nevojë urgjente për pajisje reanimatore dhe laboratorike për të shtuar numrin e testimeve.


“Humbëm muaj të tërë pa përgatitje. Duhet kërkuar një mbështetje ndërkombëtare, veçanërisht nga Italia që ka struktura dhe eksperiencë të madhe. Që tek bërja e strategjisë, e drejta e tyre për vendimmarrje, koordinimi i specialiteteve mjekësore. Na duhen urgjentisht 100 njësi reanimacioni brenda standardeve europiane.

Na duhet një mbështetje për laboratorët për të bërë 5000 teste në ditë. Na duhet mbështetje për pajisje mbrojtëse për ekipin shëndetësor. Do të duhen dhe fonde të gatshme të qeverisë shqiptare që të financojë ardhjen në Shqipëri të strukturave të gatshme mjekësore dhe materialeve të nevojshme”, tha Shehu në A2.