Shtimi i të infektuarve, Shehu: Duhet strategji e re, qeveria flet për përkeqësim të situatës, por jo për zgjidhje

11 GUSHT DITARI 09 00 PGM frame 49164 1100x620

Rritja e numrit të personave të prekur nga koronavirusi është një nga treguesit kryesorë se pandemia është në kulmin e saj dhe parashikimet tregojnë se situata pritet të përkeqësohet në muajt në vijim për shkak edhe të viruseve të stinës.

Ish ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu deklaroi në Ditarin e mëngjesit në A2 se parashikimit nuk janë optimiste për sa i përket pandemisë. Sipas tij, duhet një strategji e re për përballimin situatës, të cilën kjo qeveri nuk mund ta bëjë pasi e ka lënë sistemin shëndetësor në mëshirë të fatit.

“Parashikimet janë të vështira, kur nuk ke informacion. Nuk kemi testime të mjaftueshme. Parashikimet janë negative. Duhen marrë masa të bazuara në fonde të mjaftueshme për të përballuar një përkeqësim të situatës në vjeshtë. Mbyllja ishte një dështim i plotë. Strategjia e mëparshme nuk ka funksionuar. Duhet të përgatisim një strategji të re për stabilizimin dhe më pas për daljen.

Unë jam pesimist se kjo qeveri do bëjë diçka të tillë, dështoi. Kjo qeveri e la sistemin shëndetësor pa infrastrukturë dhe pajisjet e nevojshme. Laboratorët duhet të ishin në një situatë ndryshme. Nuk po mendon as për vaksinimin nga gripi sezonal. Qeveria tashmë thotë se do të përkeqësohet situata, por nuk tregon se çfarë duhet të bëhet realisht”, u shpreh Shehu.