Stuhi dhe shkatërrim në Çikago, mbi 1 milionë amerikanë pa energji

Era me shpejtësi deri në 160 km/h ka lënë më shumë se 1 milionë amerikanë pa energji elektrike në Illinoi, Oklahoma, Ajoua, Nebraska dhe Uiskonsin.

Në Çikago, çatia e një godine u shkatërrua tërësisht nga stuhia e quajtur “Derecho”, pamjet e dëmeve u filmuan nga një vizitor në qytet.

Në shumë zona, pemë të rrëzuara, makina të përmbysura dhe shtëpi të shkatërruara ishin panorama e pasojave të kohës së keqe që zgjati për disa orë.

Sipas Patrick Marsh, ekspert në Shërbimin Kombëtar të Motit, stuhi të tilla shkaktojnë më shumë dëme se një tornado normal, për shkak se era përhapet në një territor shumë më të madh, ndryshe nga tornadot që janë më të përqendruar. Një stuhi e ngjashme në vitin 2009 shkaktoi më shumë se 500 milionë dollarë dëme, ndërsa pasojat e stuhisë së këtij viti, nuk janë llogaritur ende.

Dëmet e shkaktuara nga koha e keqe iu shtuan atyre nga dora e njeriut, pasi dyqanet e shtrenjta në qendër të Çikagos u bastisën të dielën në mbrëmje, ndërsa Policia tha se ka kryer më shumë se 100 arrestime.