Ulen prurjet në liqenin e Fierzës, hidrocentrali punon me 2 turbina

Pavarësisht reshjeve të ditëve të fundit të shiut, niveli i ujit në liqenin e Fierzës, mbetet ende nën nivel e tij maksimal prej 296 metra mbi nivelin e detit.

Niveli i prurjeve në basenin ujëmbledhës më të madh në vend aktualisht është më shumë se tre herë më i ulët se mesatarja e prurjeve që nga vënia e tij në punë. Kjo mesatare është 196 m3 në sekondë, por të dhënat e fundit tregojnë prurje shumë të ulëta, vetëm 60 m3 në sekondë.

Sipas të dhënave të prefekturës së Kukësit, Hidrocentrali i Fierzës, aktualisht po punon me 2 nga 4 turbinat ndërsa niveli është në 281.68 m.

Siç dihet, Liqeni i Fierzës në nivelin maksimal të tij ka një kapacitet ujëmbajtës prej 2.7 miliardë metër kub ujë, në nivelin e 296 metrave. Niveli 242 metra është pika minimale e tij, e ashtuquajtur “pika e vdekjes”.

Liqeni i Fierzës, sipas të dhënave të Koorporatës Energjetike Shqiptare nivelin më të ulët e ka pasur në dhjetor të 1994-ës, me 245.96 metra, ndërsa nivelin më të lartë në maj të 2013-es me 296.91 metra.

Por pavarësisht këtyre të dhënave duket se KESH e vlerëson pozitive situatën, pasi për periudhën 2-31 gusht, ka kontraktuar për blerje 1.200 MWH energji elektrike, ndërsa për shitje 13. 194 MWH.