Alarm në Europë, rekord infektimesh në Francë, Spanjë dhe Gjermani

Makthi i koronavirusit rikthehet të përndjekë Europën, e cila po përjeton rritje shqetësuese të rasteve me Covid-19.

Në Francë, rastet janë gati dyfishuar në 24 orët e fundit dhe kryeministri Jean Castex paralajmëron se prej dy javësh, vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Mbi 1300 raste të reja u shënuan në një ditë, ndërsa numri i viktimave ishte 14.

Në rrugët e populluara të Parisit dhe qyteteve të tjera franceze mbajtja e maskës është bërë e detyrueshme, por kryeministri bën thirrje që masa të shtrihet edhe më tej.

“Situata epidemiologjike po përkeqësohet dhe pa përpjekje kolektive për të frenuar përhapjen, ajo do të jetë vështirë të kontrollohet”, ishin fjalët e kryeministrit.

Gjithashtu Gjermania regjistroi të martën, numrin më të lartë të infektimeve të reja që prej muajit maj, me 1226 raste në 24 orë. Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn u shpreh i shqetësuar dhe bëri thirrje për mbajtjen e maskave, zbatim të distancimit fizik dhe rregullave të higjienës. Sipas tij, shpërthime të vogla e po ashtu të mëdha po raportohen në të gjitha rajonet.

Rritja e rasteve thuhet të ketë ardhur pas kthimit të qytetarëve nga pushimet, por edhe për shkak të organizimeve familjare.

Ekspertët shëndetësorë në Spanjë, paralajmërojnë se edhe një herë vendi ka mbërritur në një pikë kritike, me nivelin më të lartë të infektimeve në Europë.  Gjatë javës të fundit, janë raportuar mesatarisht mbi 4900 raste të reja ditore me koronavirus. 500 vatra raportohen në nivel kombëtar.

Spanja ishte një prej vendeve më të prekura nga pandemia në muajt mars dhe prill dhe më shumë se 28 mijë persona humbën jetën si pasojë e sëmundjes.