Champions League, Atalanta sfidon PSG, francezët grumbullojnë Mbappe

CHAMPIONS ATALANTA PSG frame 424 1100x620

8 skuadrat më të mirat të Champions League tashmë janë zhvendosur në Lisbonë për të zhvilluar fazën finale që do të shpallë skuadrën kampione në më pak se dy javë.

Dueli i parë çerekfinal është ai mes Atalantës dhe Paris Saint Germain, sfidë që edhe pse duket e lehtë në letër për francezët nuk do të jetë aspak e tillë. Italianët që drejtohen nga Gasperini kanë sulmin me më shumë gola në Europë pas Manchester City, ndërkohë që u renditën në vendin e tretë në përfundim të Serisë A.

Bluzinjtë kanë udhëtuar drejt Portugalisë pa portierin Golini i cili është dëmtuar në gju dhe sulmuesin slloven Iliçiç që ka qëndruar larg skuadrës prej disa javësh prej disa problemeve familjare.

Skuadra e Berat Gjimshitit gjithsesi është optimiste nisur nga mungesa thuajse e sigurt e Kilian Mbappe në radhët e kundërshtarëve. Megjithatë ylli francez, për të provuar mrekullinë e aktivizimit apo ndoshta edhe për të trembur rivalët, është grumbulluar nga trajneri i Paris Saint Germain, Tomas Tuchel.

Dilema e vetme e trajnerit gjerman është emri që do të zëvendësojë Marko Verratin në mesfushë, një mes Herreras dhe Paredes. Kampionët e Francës kërkojnë të arrijnë në gjysmëfinalen që mungon prej vitit 1995.

Kjo do të jetë hera e parë që Paris dhe Atalanta ndeshen së bashku.