Dita ndërkombëtare e Rinisë, apeli i presidentit: Bashkohuni dhe merrnin fatet e vendit në dorë

ILIR META 1100x620

“Bashkohuni dhe merrni në dorë fatin tuaj dhe të atdheut”, ky është apeli i presidentit Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit iu bën thirrje të rinjve të mbrojnë të ardhmen e Shqipërisë edhe pse përballen me pengesa e zhgënjime të mëdha.

“Është fakt se shumë prej jush përballen ende me pengesa, përjashtime, moskuptime dhe zhgënjime të mëdha, që ju kanë detyruar të gjeni forma të ndryshme për t’u arratisur nga ky realitet i papranueshëm, deri edhe në largim masiv nga Atdheu.

Përgjatë gjithë historisë sonë, luftës për liri e pavarësi dhe përpjekjeve për demokratizim, progres e begati të Shqipërisë, veçanërisht në momentet e tragjedive, kriza dhe sfidave të mëdha, populli ynë është ringritur dhe udhëhequr nga idealet, guximi, energjia, talenti dhe forca e rinisë, duke i bërë ballë çdo lloj vështirësie dhe shpartalluar çdo lloj kërcënimi.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, apeli im për të gjithë ju të rinj e të reja kuq e zi është: Bashkohuni dhe merrni në dorë fatet tuaja dhe të atdheut tonë! Është koha të mbroni të ardhmen e Shqipërisë dhe unë besoj në vetëdijen dhe përgjegjshmërinë e madhe që do të merrni për ta ushtruar me vendosmëri dhe shqiptari këtë detyrë të lartë”, shkruan mes të tjerash presidenti.