Haradinaj kandidohet për president: Përgjegjësi e lartë dhe nder i veçantë

haradinaj 1100x620

Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shpallur sot dëshirën e tij, të formalizuar nga strukturat udhëheqëse të partisë, për të kandiduar si president i Kosovës.

Këtë vendim Haradinaj e shprehu përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie të mbajtur sot në Prishtinë.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”. Thuhet në deklaratën e Haradinajt.

Më parë nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, kishte thënë se “Mund të kemi rrethana të reja sa i përket situatës me zgjedhjen e presidentit të Kosovës për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës për presidentin Thaçi e që ne gjithë njëzëri kemi shpresuar që nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, prapë se prapë për 4 ose 5 muaj duhet të hyjmë në proces të zgjedhjes së presidentit dhe Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk do të mund të arrijmë ta zgjedhim presidentin e ri”.