Krimet zgjedhore në dosjen 339, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzon kërkesën e dy ish-komisionerëve

KLP PER 2 KANDIDTATE E SPAK frame 864 1100x620 1 1100x620

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e dy ish-komisionerëve zgjedhorë në Shijak, Ramiz Tuda dhe Bujar Sula për ndryshim të masës së sigurisë. Dy komisionerët ndodhen në arrest shtëpie, por kishin kërkuar që masa të ndryshohej në detyrim paraqitje.

Një pjesë e dosjes 339 në kuadër të së cilës u ndaluan komisionerët u kalua në kompetencë të Gjykatës së Durrësit.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka ngritur akuzë kundër 20 komisionerëve zgjedhorë në tre qendra votimi të qershorit 2017 në Shijak. Ky procedim është një nga fraksionet e dosjes së famshme “339”. 11 prej komisionerëve, përfaqësues të partisë Socialiste, Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe asaj Republikane në tavolinat e qendrave të votimit janë arrestuar në zbatim të masave “arrest në burg”, caktuar në mungesë nga Gjykata e Posaçme. Për tetë të tjerë është caktuar masa “arrest në shtëpi” dhe për tre prej tyre masa e “detyrimit për paraqitje”.

Sipas prokurorëve të SPAK, Vladimir Mara e Dritan Prençi, komisionerët e akuzuar për “votim më shumë se një herë, ose pa u identifikuar” kanë lejuar me dashje persona të ndryshëm të votonin në emër të votuesve që ndodheshin jashtë shtetit ditën e zgjedhjeve. SPAK ka provuar se komisionerët e qendrës së votimit në fshatin Shetël të Bashkisë Shijak kanë lejuar të votohet për 22 persona që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Në të njëjtën mënyrë, komisionet e qendrës së votimit të pozicionuar në kopshtin e fshatit Rubjek kanë lejuar të votohej për 7 persona. Referuar sistemit TIMS, thonë burimet pranë grupit të hetimit, këta persona rezultojnë jashtë territorit shqiptar ditën e zgjedhjeve. Ndërsa në qendrën tjetër të votimit të fshatit Rubjek komisionerët kanë “mbyllur sytë” para futjes në kutitë e votimit të votave për 23 persona që nuk ishin prezentë as në qendrën e votimit e as në Shqipëri.

Në përgjegjësi penale është marrë edhe një qytetar, që akuzohet të ketë votuar për persona të tjerë. Referuar të dhënave janë 52 persona që rezulton të kenë votuar në këto tre qendra votimi, por që ditën e zgjedhjeve nuk ndodheshin në vend. Lëvizja e SPAK për krimet zgjedhore në Shijak erdhi gati 1 vit pasi ish-Prokuroria për Krimet e Rënda i kërkuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes kësaj shkrese kërkuan sekuestrimin e dokumentacionit zgjedhor në zonat Shetel dhe Rubjek. Për llogari të hetimit të dosjes 339 SPAK njoftoi edhe arrestimin e Fisnik Sadikut, i cili dyshohet të ketë lidhje me grupin kriminal që përpunonte heroinë në laboratorin në Brenog të Hasit.

Nga përgjimet telefonike është zbuluar se në disa qendra votimi të Shijakut në vitin 2017 ishte votuar për persona që nuk ishin në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Në përgjimet e papublikuara të dosjes 339, në fraksionin për komisionerët zgjedhorë të akuzuar nga SPAK,  protagonist është Altin Avdyli, personazhi i njohur me emrin “Niçja”. Në një bisedë të datës 25 qershor, Niçja flet me një person me emrin Shpëtim, që sipas prokurorisë ditën e zgjedhjeve ka votuar për babanë e tij në Itali.