PD akuzon Ramën: 147 milionë euro për punësime elektorale

WhatsApp Image 2020 08 12 at 11.59.22 1100x620

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se ka shpenzuar 147 milionë euro për punësime sezonale, 55 milionë sipas saj janë përdorur për të blerë votat në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021.

“Edi Rama ka paguar një mal me para për të punësuar në shtet me kontrata të përkohshme mbi 13 mijë persona që nga viti 2017, duke e shndërruar administratën në një degë të partisë në pushtet. Me firmën e tij, qeveria e Edi Ramës i ka miratuar këto kontrata përmes 23 vendimeve, duke nxjerrë nga arka e shtetit rreth 55 milionë euro për punësimet elektorale”, tha ish-deputetja e PD, Dhurata Çupi.   

“Një ditë më parë, ne hodhëm dritë mbi punësimet elektorale në pushtetin lokal, ku për 8100 persona të punësuar shtesë nga bashkitë, janë paguar edhe 92 milionë euro të tjera në 2 vjet. Llogaritë elektorale të Edi Ramës janë një barrë e rëndë për arkën e shtetit dhe për qytetarët e vendit më të varfër të Europës. Janë 147 milionë euro të shpenzuara vetëm 3 vitet e fundit për mbi 21 mijë punësimet elektorale të Edi Ramës në qeverinë qendrore dhe lokale. Janë 147 milionë euro të cilat kanë shkuar për paga partiake dhe elektorale. Janë më shumë para sesa Edi Rama dha për përballimin e pandemisë me paketat e tij gjysmake”.