Plazhi i kuq, ku tjetër veç se në Kinë

Është plazh, por nuk ka nevojë për rroba banje për ta vizituar. Çdo vjeshtë, mijëra vetë mbushin skelën për të parë nga afër plazhin e kuq në moçalishten e qytetit Panjin, në veri të provincës Liaoning.

Është plazhi më verior i Kinës, por në vend të rërës ka një “tapet” të kuq, i formuar nga një barishte e kuqe që rritet në këtë sipërfaqe moçalore. I pagëzuar si “plazhi më romantik i Kinës” nga mediat lokale, moçali shtrihet në një sipërfaqe prej 6667 hektarësh.

Sipas autoriteteve lokale, 2 milionë turistë vizitojnë vendin çdo vit, kryesisht në vjeshtë, kur barishtet e kuqe, të quajtura Suaeda, lulëzojnë. Përtej pamjes magjike, aty jetojnë gaforre, mbillet oriz e bambu dhe jetojnë më shumë se 260 lloje zogjsh shtegtarë.