Qëlluan në drejtim të hotelit në Tushemisht, kapen në pyll autorët

Katër persona janë vënë në pranga si përgjegjës për atentatin me armë zjarri drejt një hoteli në Tushemisht në datën 8 gusht.

Gjatë operacionit, në pyllin e fshatit Vërdovë, Pogradec, në një çadër që kishte ngritur enkas për t’u strehuar, Policia kapi organizatorin e këtyre ngjarjeve, person me precedent të theksuar kriminal, i cili mbante dhe armë zjarri pistoletë me vete. Gjithashtu kapen dhe arrestohen edhe 3 bashkëpunëtorë të tjerë të implikuar. Dy ditë më parë u vu në pranga edhe Mariglen Topuzi, një bashkëpunëtor tjetër.

Gjatë operacionit, Policia sekuestroi edhe një armë zjarri tip pistoletë, municion luftarak dhe rrobat e përdorura për të drejtuar motomjetin gjatë kryerjes së këtyre ngjarjeve.

Të arrestuarit janë Ilir Berberi, 52 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe sigurisë publike), i cili konsiderohet edhe si organizatori i atentatit. Në pranga përfunduan gjithashtu Ilir Meçolli, 29 vjeç, Ardian Xhuti, 29 vjeç, banues në Zvezdë, Maliq dhe Elvir Haxhia, 32 vjeç, banues në Pojan, Maliq (i dënuar më parë për vjedhje).

Ndaj shtetasit I. B., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Prishja e qetësisë publike” kryer në bashkëpunim”, për ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3 përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë 52-vjeçari ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet të ketë rolin e organizatorit të ngjarjeve të ndodhura pranë hotelit, ku në bashkëpunim me tre personat e mësipërm dhe disa të tjerë, kanë kanosur me armë zjarri shtetasin J. M., si edhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, duke i shkaktuar dëme materiale godinës dhe 7 mjeteve të parkuara.

Gjatë operacionit, shtetasit I. B. iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një armë zjarri tip pistoletë dhe 59 fishekë që i posedonte pa leje.

Po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje, thotë Policia.