Veliaj: Jam shëruar nga Covid-19, dëgjoni profesionistët, jo gjithologët

veliaj 1100x620

Dy javë pasi njoftoi se kishte dalë pozitiv ndaj koronavirusit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se është shëruar.

“Pas dy javësh izolim e trajtim mjekësor – në Tiranë, e askund tjetër – testi i fundit më nxori të shëruar nga Covid-19 e më të fortë se kurrë për t’iu rikthyer punëve të shumta të Kryeqytetit tonë. E kam zemrën plot mirënjohje për familjen time të vogël – Ajola, Kajan dhe nënat e papërtuara – e për familjen e madhe të mijëra prej jush, që më dhatë përditë kurajo e frymëzim për ta mundur këtë flamë. Do të kish qenë edhe më e vështirë pa këmbënguljen e Ogertës, Albanës, Eugenës e Almës nga ISHP të cilat më këshilluan ta merrja seriozisht që në fillim, pa përkushtimin 24h të Doktor Perlatit apo injeksionet pupël të infermiere Adelinës, si dhe insistimit ditor të shokut Gramoz për t’iu bindur profesionistëve heronj e jo gjithologëve mendjelehtë!”, shkruan Veliaj.

“Gjatë këtyre dy javëve u miqësova me plot pacientë apo të shëruar të tjerë, njoha historitë e tyre e ndamë momente të kësaj lufte të përbashkët të njerëzimit. Ky komunitet, ku tani edhe unë duhet të bëj pjesën time, do duhet të jetë më aktiv për të ndërgjegjësuar të tjerët mbi seriozitetin e kësaj drame e nevojën për të bashkëpunuar me autoritetet çdo ditë!

Jam i brengosur për ata që nuk ia dolën, më sëmbon zemrën kjo padrejtësi ku disa jetë këputen kaq beftas në mes! Vazhdoj lutem për familjet që lanë pas, e siç ua kam dëshmuar një pjese prej tyre, do angazhohem me gjithçka mundem për të lehtësuar sadopak dhimbjen e nevojat e tyre, sidomos të fëmijëve!”.