Covid-19 në botë, mbi 20,5 milionë infektime, në SHBA 1500 viktima në 24 orë

Mbi 20.5 milionë njerëz janë prekur nga Covid-19 në të gjithë botën. Ndërkaq, sipas të dhënave të përditësuara të universitetit Johns Hopkins, që prej fillimit të pandemisë, numërohen gjithashtu mbi 747 mijë jetë të humbura dhe rreth 12 milionë 700 të shëruar nga koronavirusi.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të prijnë listën e vendeve më të prekura me mbi 5 milionë të infektuar dhe të paktën 166 mijë vdekje. Vetëm në 24 orët e fundit u shënuan gati 56 mijë raste të reja dhe 1500 humbje jetësh.

Mjaft shqetësuese mbetet situata në Brazil ku bilanci ditor i pandemisë i kaloi 1 mijë viktimat dhe 55 mijë të infektuarit.

India regjistron më shumë se 47 mijë vdekje duke tejkaluar Britaninë e Madhe, e duke u bërë vendi i katërt me më shumë viktima në botë. Nga ana e saj, Londra ka rishikuar bilancin e vdekjeve, duke i ulur shifrat me 5 mijë. Lëvizja erdhi pasi akademikët theksuan se në numrin total të viktimave përfshihej çdokush që ishte testuar pozitiv e që kishte humbur jetën më vonë, pa marrë parasysh se mund të kishin vdekur për shkaqe të tjera.

Zelanda e re, e cila për 100 ditë ishte çliruar nga Covid, regjistron 14 raste të reja. Kryeministrja Ardern paralajmëron se situata do të përkeqësohet.

Autoritetet gjermane janë në alarm, ndërsa 1445 infektime u shënuan në 24 orët e fundit. Ministri i Shëndetësisë thotë së përhapja është tejet shqetësuese dhe bën thirrje për zbatim të masave. Shkollat janë rihapur prej disa ditësh, dhe agjencia për mjedisin në vend bën thirrje që klasat të ajrosen përreth 45 minuta pas çdo ore mësimi.

Rritja e rasteve në Spanjë shtyn autoritetet në rajonin e Galicisë të ndalojë duhanpirjen në zonat publike, që sipas ekspertëve shton rrezikun e transmetimit.