Haradinaj president? LDK: Ende nuk kemi diskutuar për çështjen

Pavarësisht se kishte thënë që do të qëndronte larg posteve në qeverinë e re, emri i kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj lakohet tani, si pretend i mundshëm për president të Kosovës.

Kjo është thënë pas mbledhjes së këshillit drejtues të kësaj partie, e mbajtur të mërkurën. Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se brenda partisë ka thirrje që Haradinaj të jetë kandidat.

“Mund të kemi rrethana të reja sa i përket situatës me zgjedhjen e presidentit të Kosovës për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës për presidentin Thaçi e që ne gjithë njëzëri kemi shpresuar që nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, prapë se prapë për 4 ose 5 muaj duhet të hyjmë në proces të zgjedhjes së presidentit dhe Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk do të mund të arrijmë ta zgjedhim presidentin e ri”, tha Gjini.

Ambicien e ka konfirmuare dhe vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të Kushtetutës e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, thotë Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në koalicion qeverisës më LKD-në e Isa Mustafës e mes tyre nuk ka ende dakordësim mbi postin e presidentit pasi të skadojë mandati i Thaçit ne 2021-shin.

Por nënkryetari i kësaj partia Lutfi Haziri tha për Evropën e Lirë se deri më tani partnerët e koalicionit nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, vetëm nëse pretendimet e prokurorit të specializuar kundër presidentit Thaçi do të konfirmohen, atëherë çështja do të shtrohet ne tryezë. Nga ana e saj, PDK-ja në opozitë i cilësoi deklaratat si kalkulime për të shmangur zgjedhjet.