Mendonin se shëronte nga koronavirusi, Policia bllokon vizitat në liqenin rozë

Është një prej liqeneve më të bukur në botë, me një ngjyrë rozë të mrekullueshme. Liqeni Kobeytuz në Kazakistan merr pamjen e rrallë falë disa algave që rriten në baltën poshtë tij. Por edhe pse është një prej vendeve më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj, autoritetet në Kazakistan janë detyruar të bllokojnë hyrjet.

Lajmet e para mbi efektet kuruese të kripës së ujit të liqenit, që ndodhet në lindje të kryeqytetit të Kazakistanit Nur Sultan, nisën të qarkullonin në qershor dhe në korrik, njerëzit u dyndën masivisht për të shpëtuar nga pandemia. Disa madje merrnin baltën duke e shitur me shishe online, si ilaçi kundër Covid-19.

Sipas autoriteteve, liqeni ka pësuar dëme të shumta për shkak se sistemi ekologjik atje është tepër i brishtë. Do të duhen, thonë ata, 10 deri në 15 vite që gjërat të rikuperohen.